Angelica Kauffman – Penelopa e fjetur zgjohet nga Eurikleja

Angelica Kauffman (1741-1807) – Penelopa e fjetur zgjohet nga Eurikleja (njëra nga shërbëtoret e saj)

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik – sipas Homerit, Penelopa do duhej t’ishte diç si përkryeshmëria emblematike e gruas besnike)

Penelopa dhe Odiseu flinin në një shtrat me “rrënjë”, shtrat i gdhendur në pemën e ullirit aty në dhomën e gjumit. Trungu i ullirit të vjetër duke i patur rrënjët në themelet e shtëpisë, kuptohet ishte i paluajtshëm, simbolikisht ashtu si dhe besnikëria e Penelopes ndaj burrit të vet. Sipas Homerit Penelopa do duhej t’ishte diç si përkryeshmëria emblematike e gruas besnike. Odiseu do t’nisej në luftën e Trojës, pas 10 vitesh të luftës, do t’i humbte plus 10 vite tjera për t’u kthyer në shtëpi, në Itakë. Kështu që Penelopa do ta priste Odiseun për 20 vite të tëra, besnike.

Dihet se shtretërit në fakt janë sa për t’mos fjetur fare në “tokë”, aq e thjeshtë është ideja e shtratit. Edhe Odiseu ashtu e pati ujdisur shtratin e vet, bazuar në thjeshtësinë. Nëse ideja e tij ishte origjinale s’kemi si ta dimë, por dhoma e gjumit, besnikëria e Penelopës, e gjithë shtëpia “gravitonte” rreth shtratit. Ai e pati gjetur fillimisht lisin për shtratin (e ardhshëm) të dashurisë, e pati prerë në lartësinë optimale të “shtratit” dhe rrotull e pati ndërtuar shtëpinë. Odiseu e dinte, shtrati është për t’mos fjetur fare në “tokë”, thjesht pakëz më lart. Kuptohet kësaj “lartësie” ia shtojmë komoditetin, i shpikim një milion formash e stilesh (si dizajn) etj.

Siç u muar vesh, Penelopa kurrë s’do hiqte dorë nga Odiseu, ajo kurrë s’do ta tradhtonte. Madje dhe kur Odiseu kthehet, ajo e teston për t’u siguruar se vërtet ishte burri i saj. Penelopa e përdor pikërisht shtratin që të vërtetohej identiteti i tij. Vetëm Odiseu, Penelopa dhe shërbëtorja e dinin që shtrati s’mund të zhvendosej, se ishte i paluajtshëm. Askush tjetër s’e dinte këtë sekret. Penelopa e urdhëron shërbëtoren e vet që ta lëvizte shtratin e tyre të martesës. Odiseu zemërohet duke pandehur se Penelopa e paskësh zëvendësuar shtratin me ndonjë shtrat tjetër. Ai shpjegon se dhomën e gjumit e pati ndërtuar rreth një ulliri të lashtë, dhe se vetë pemën e pati bërë shtrat, e pati gdhendur shtratin në trungun me rrënjë.
Me këtë detaj pra Penelopa e ngratë qe siguruar se ai ishte askush tjetër por vetë dashuria e saj… vetë “ideatori” i shtratit martesor, ai mbreti krenar i Itakes, ai trimi, ai bredharaku i humbur të cilin e kishte pritur aq gjatë.